Evropa, është epiqendra e re e një epidemie që filloi në Kinë. Të dielën, Italia raportoi se numri i vdekjeve shkoi në 1.809, një rritje prej 25 përqind vetëm për një ditë . Kjo është rritja më e madhe një-ditore e arritur në një vend.
Për të parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve, vende të ndryshme në botë kanë marrë masa drastike. Exit News sjell më poshtë disa nga masat.
Vatikani nuk do të ofrojë muajin tjetër shërbimet gjatë javës së Pashkës, një traditë shumëvjeçare e cila zakonisht tërheq dhjetëra mijëra turistë.
Afrika e Jugut shpalli gjendjen e emergjencës, duke mbyllur shkollat, portet dhe duke ndaluar tubime të më shumë se 100 njerëzve. Qytetarët e Afrikës së Jugut që kthehen nga vendet e prekura do të testohen dhe vetë-karantinohen.
Kina po forcon rregullat e saj të vetë-karantinimit. Të gjithë njerëzit që kthehen nga jashtë do të vetë-izolohen për 14 ditë. Ata do të vendosen në një vend karantinimi për të cilin do të paguajnë një shumë të caktuar.
Në kryeqytetin e Filipines, Manila, u vendos karantina. Kjo ngjalli frikë te qytetarët për synimet e qeverisë, për të rikthyer ligjin ushtarak. Autoritetet siguruan qytetarët se prania e forcave të sigurisë nuk kthen në fuqi ligjin ushtarak.
Në Meksikë, presidenti Andrés Manuel López Obrador refuzoi të ndjekë masat e marra në vende të tjera, me argumentin se nuk dëshiron të veprojë para kohe.Javën e kaluar, një zyrtar meksikan i shëndetësisë deklaroi se Meksika po përgatitej për sezonin e turizmit, që përkon me pushimet e Pashkëve dhe pushimin e pranverës.
Në Spanjë, furrat e bukës dhe supermarkete të vogla janë të hapura. Në qendër të Madridit, policia patrullon rrugët dhe pak makina kalojnë përgjatë rrugës kryesore, Castellana Avenue. Qendra e Barcelonës ishte bosh dhe nuk lejohet të vizitosh Katedralen kryesore.
Franca njoftoi të shtunën mbylljen e të gjitha bizneseve jo të domosdoshme, përfshirë restorantet, baret dhe kinematë, për shkak të numrit të madh të të infektuarve. Numri i rasteve atje arriti 5.420, me 127 të vdekur.
Të dielën, Ministri i Transportit në Francë tha se vendi do të kufizojë transportin ajror, me tren dhe autobus midis qyteteve.
Në Hollandë, qeveria njoftoi karantinim deri më 6 prill. Shkollat dhe kopshtet dhe çerdhet do të mbyllen. Do të mbyllen gjithashtu dhe restorantet, kafenetë, palestrat dhe klubet sportive.
Gjermania mbylli kufijtë e saj me Austrinë, Danimarkën, Francën, Luksemburgun dhe Zvicrën, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.