Ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini ka paralajmëruar sot masa të ashpra kundër emigrantëve të përfshirë në veprimtari kriminale, përfshi ata shqiptarë. Nisur nga një përplasje e sotme në qytetin Ferrara, mes një shqiptari dhe dy nigerianësh, të lidhur me trafikun dhe shpërndarjen e drogës, Salvini ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter:
“Sherri i disatë mes emigrantëve në Gad të Ferrarës, të therur me thika, mes një shqiptari dhe dy nigerianëve. Me 3 maj do të jem në qytet dhe gjatë orëve të ardhshme do të ftoj të gjithë prefektët për t’ju dhënë një urdhër për të përzënë të gjithë kriminelët nga qytetet. Aty ku nuk arrijnë kryebashkiakët, do të shkojmë ne.”
Gjatë paradites së sotme, në Gad, një nga lagjet më të rëndësishme të qytetit të Ferrarës, në verilindje të Italisë, tre persona, dy nigerianë dhe një shqiptar, janë përleshur me thika mes tyre. Të tre personat kanë mbetur të plagosur të shtrirë mbi asfaltin e qytetit. Policia ka bërë të ditur se përleshja ka ndodhur për shkak të konflikit për kontrollin e territoreve të shpërndarjes së kokainës.
Ferrara është kthyer vitet e fundit në një nga kulmet e trekëndëshit të trafikimit të drogës Spanjë-Itali-Shqipëri, dhe pika kryesore e futjes nga Shqipëria e drogës të destinuar për zonën lindore dhe qendrore të veriut të Italisë.
Në Ferrara, në tetor 2017, policia italiane kapi dy tonë marijuanë të ardhur nga Shqipëria. Në të njëjtin muaj, policia kapi 120 kg të tjera drogë të ardhura nga Spanja me një maune, dhe arrestoi pesë trafikantë, përfshi dy shqiptarë, Alfred Gjoka dhe Tonin Bibaj, të konsideruar furnitorë me shumicë.
Në 28 qershor 2018, po në Ferrara u kapën mbi 100 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria.
Ndërsa në korrik të 2018 u arrestuar 2 banda të trafikimit të kokainës, njëra marokene dhe tjetra shqiptare. Banda marokene shpërndante drogën në Ferrara, të cilën banda shqiptare e siguronte nga Holanda.