Maturantët po protestojnë sot sërish para Ministrisë së Arsimit dhe kërkojnë rivlerësim të tezës të provimit të Gjuhë- Letërsisë, zhvilluar në 11 qershor.
Ata akuzojnë ministrinë se struktura e ndërtimit të testit nuk ishte e njëjtë me atë model që u premtua dhe studiua. Sipas tyre, testi kishte pyetje ‘pa lidhje dhe pa logjikë’ dhe jashtë temave të studiuara në klasë.
Maturantët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë provimet e mbetura nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Ata kërkojnë nga ministria plotësimin e 3 kërkesave:
- Mundësinë për rivlerësimin e tezës;
- Uljen e pragut minimal për të kaluar dhe uljen e numrit të pikëve për notën 9 dhe 10;
- Mosvlerësimin e pyetjeve jashtë programit.
Disa prej tyre raportuan se ndihen të kërcënuar pasi i është kërkuar emri nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Ata kërkuan që drejtoresha e QSHA-së Rezana Vrapi tu kërkojë falje publike maturantëve:
“Ne nuk e kemi fare frikë që të identifikohemi. Por protestuesve iu është kërkuar emri dhe mbiemri. Drejtoresha e QSHA duhet të kërkojë falje publike, pasi na ka shkaktuar dëm të madh psikologjik.”
Deri më tani maturantët kanë zhvilluar 2 provime, ndërsa mbeten dhe dy të tjerë, më 15 dhe 18 qershor ende pa u zhvilluar.
Të gjithë pretendimet e tyre për pyetje jashtë programit mësimor janë hedhur poshtë nga Zonja Vrapi.