Mbërrijnë "taksat" e fshehura për biznesin

Mbërrijnë "taksat" e fshehura për biznesin

Qeveria ka dërguar në Parlament një projekt-ligj, pa e publikuar fare në faqen e Kryeministrisë apo të Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili modifikon ligjin mbi dhomat e tregtisë. Diskutimi i tij në Kuvend është caktuar për në datën 25 shkurt 2016.

Të vetmet masa praktike të parashikuara nga projektligji janë:

  • Bën të detyrueshëm anëtarësimin në dhomën e tregtisë të territorin ku ka selinë për të gjithë personat juridikë të regjistruar në QKR;
  • Heq detyrimin e punësimit me kohë të plotë për kryetari e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, organizata ombrellë ku duhet të anëtarësohen të gjitha dhomat e tregtisë;
  • Përcakton se 30 përqind e të ardhurave nga kuotave e anëtarësimit në dhomat e tregtisë duhet t’i kalojë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë;
  • I jep të drejtën Bashkimit të Dhomave të Tregtisë të kontrollojnë të gjitha organizatat apo shoqatat e biznesit që veprojnë si “dhoma”;
  • Ul në 50 numrin minimal të të anëtarësuarve që duhet të kenë dhomat e huaja të biznesit;
  • Nxit sistemin e organizimit territorial—anëtarësinë në dhomat e organizuara sipas qyteteve/rretheve— në kurriz të organizimit sipas degëve të industrisë apo profesioneve—anëtarësinë në shoqatat profesionale.

Ky projektligj tregon edhe një herë metodën që qeveria Rama dëshiron të zbatojë në ekonominë e vendit.

Sistemi i dhomave të tregtisë në Shqipëri nuk ka asnjë dobishmëri praktike, nuk ofron shërbime reale për anëtarët, nuk prodhon informacon dhe statistika tregu, nuk u ofron investitorëve të mundshëm të huaj informacion të besueshëm. Ai shërben vetëm për të monopolizuar marrëdhëniet me homologët e huaj të biznesit, për të marrë ftesa për panairet jashtë vendit, për të marrë subvencione nga donatorë të huaj, dhe, në fund, për të organizuar disa panaire të padobishme lokale ku tashmë të gjithë i njohin të gjithë.

Për këtë arsye, gjithmonë e më pak sipërmarrje shqiptare dhe të huaja anëtarësohen në sistemin e dhomave të tregtisë, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në të ardhurat e këtyre dhomave dhe akoma më shumë në të ardhurat e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë. Si rezultat, ato nuk organizojnë më udhëtime pothuajse turizmi, të maskuara si delegacione biznesi ose pjesmarrje në panaire, në shoqërinë dhe për shërbim të politikanëve dhe miqve.

Në të gjithë botën, dhomat e tregtisë janë sipërmarrje private ose vullnetare, që ndonjëherë mund të marrin ndihmë nga shteti për projekte të caktuara, por që gjithmonë duhet dhe mbijetojnë me të ardhurat nga kuotat e anëtarësimit dhe nga shërbimet që u shesin kompanive anëtare. Nga ky standart botëror, bëjnë përjashtim Franca dhe Italia, dy vende që kanë një qasje shtetërore në organizmin dhe funksionimin e dhomave të tregtisë. Por, edhe në Itali qeveria Renzi ka hequr të gjitha format e financimit shtetëror për dhomat e tregtisë, duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për anëtarësimi, për arsyen se dhomat e tregtisë në Itali administrojnë regjistrin e bizneseve, që është një shërbim publik i dobishëm.

Në Shqipëri pas një periudhe kur anëtarësimi ishte i detyrueshëm (dhe i kushtueshëm), anëtarësimi u bë vullnetar gjatë mandatit të dytë të qeverisë Berisha. Befas, qeveria socialiste ka vendosur jo vetëm të rivendosë detyrimin e anëtarësimit, por edhe t’ja lërë përcaktimin e kuotës së anëtarësimit Asamblesë së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, e cili përfiton vetë një të tretën e të ardhurave nga anëtarësimi.

Nga ana tjetër, bordi drejtues i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë cakton shpërblimet për anëtarët e tij dhe të punësuarit e Bashkimit, që financohen pikërisht nga kuotat e anëtarësimit që vendos Bashkimi i Dhomave.

Asambleja e Bashkimit të Dhomave mblidhet një herë në katër vjet, nëse nuk ka ndonjë mbledhje për shkaqe urgjente. Në këtë mënyrë, luksi i drejtuesve gati shtetëror të Bashkimit të Dhomave dhe konsulentëve të tyre është i siguruar për një periudhë të gjatë kohore, ushqyer nga një e drejtë monstruoze autonomie e dhunës monetare, mbikqyrur vetëm nga Ministria e Ekonomisë, që në këtë mënyrë bëhet padroni absolut i një mekanizmi publik-privat përtej çdo caku të imagjinueshëm.

Duket se ky është një një evolim i mëtejshëm të qeverisjes të tipit “konçesionar” hajdut tashmë të venë në veprim me skanimin doganor, kontrollin mjekësor të popullsisë dhe me TVSH-në. Të gjitha me arsyetim të mangët, me shumë gjasa në shkelje të të drejtave kushtetuese, si dhe me pasoja mbi bizneset. E gjitha e bërë në fshehtësi. Si gjithmonë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>