Italia raportoi të premten 575 viktima të tjera me Covid-19 duke e çuar totalin në 22 745 të vdekur nga epidemia.
Po të premten, autoritetet italiane raportuan se kishin diagnostikuar rreth 3 500 persona të tjerë të infektuar duke e çuar totalin në rreth 172 500.
Pozitive për situatën mbetet shtimi i të shëruarve ku aktualisht numri ka shkuar në 42 727 pacientë që kanë arritur ta mposhtin virusin.
Italia po mendon lehtësimin e masave kufizuese dhe ekspertët mendojnë se për këtë do të ketë rëndësi të veçantë caktimi i zonave të kuqe.
Në gjithë botën numri i të infektuarve është mbi 2,2 milionë njerëz, prej të cilëve 150 mijë kanë vdekur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se tashmë përballë rrezikut më të madh të pandemisë mund të jetë Afrika – aktualisht me vetëm 19 mijë persona të infektuar, 1 mijë viktima.
Fakti se pjesa më e madhe e shteteve në këtë kontinent nuk kanë sisteme të zhvilluara shëndetësore e bën të domosdoshme një angazhim ndërkombëtar.
Një angazhim të ngjashëm OBSH e pati advokuar edhe në situatën e epidemisë së ebolës.
Hamendësohet se në Afrikë mund të vdesin nga Covid-19 rreth 300 mijë persona nëse atje nuk merren masa parandaluese të pandemisë.