Mbi 47 000 emigrantë shqiptarë u bënë shtetas të BE-së më 2018

Nga Alba Mborja
Mbi 47 000 emigrantë shqiptarë u bënë shtetas të BE-së më 2018

47 400 shqiptarë u bënë shtetas të Greqisë, Italisë apo njërit prej 25 vendeve të tjera të BE-së gjatë vitit 2018.

Rreth 24 mijë (51 për qind) morrën shtetësinë greke dhe rreth 22 mijë (46 për qind) morën shtetësinë italiane.

Sipas të dhënave të sapo botuara nga Eurostat, shërbimi i statistikave të BE-së, më 2018, shqiptarët ishin  të dytët në numër pas atyre marokenë për marrjen e nënshtetësive të BE-së.

Sidoqoftë, numri i tyre u ul me 15 për qind, më 2018 krahasuar me vitin 2017, kur 58 500 shqiptarë u bënë shtetas të një vendi të BE-së. Një pjesë e kësaj ulje vjen nga fakti që për 2018 nuk raportohet më Mbretëria e Bashkuar, pas daljes së saj nga BE-ja më 31 janar 2020.

Në total, në dy vjet 2017-18, rreth 106 mijë shqiptarë morën shtetësi të një vendi të BE-së.

Numri i shqiptarëve që kanë marrë shtetësi të huaj në këto vite është më imadh—mijëra shqiptarëve marrin nënshtetësi të vendeve të tjera perëndimore do vit, përfshi të paktën 5 mijë persona në SHBA.

Edhe pse thuajse të gjithë ata që morën nënshtetësi kanë emigruar para shumë vitesh dhe vendosur përgjithmonë në vendet ku kanë marrë shtetësinë, marrja e nënshtetësisë së huaj vendos përfundimsiht largimin e tyre nga Shqipëria

Shqipëria është një nga vendet me emigracionin më të lartë në botë. Sikurse u theksua më lart, ata janë grupi i dytë i të huajve që bëhën nënshtetas në BE prej disa vitesh.

Sipas të dhënave të Eurostatit, më 2018, 672 300 persona u bënë shtetas të një prej 27 vendeve të BE-së. Shifra është më e ulët në krahasim me vitin 2017 kur u dhanë 700 600 nënshtetësi dhe se viti 2016 me 834 900 nënshtetësi të reja.

Gjermania ka dhënë 116 800 nënshtetësi ose 17 për qind të totalit të nënshtetësive të dhëna nga 27 vendet e BE-së.

Më pas renditet Italia me 112 500 nënshtetësi ose 17 për qind; Franca me 110 000 nënshtetësi osë 16 për qind; Spanja me 90 800 nënshtetësi ose 14 për qind dhe Suedia me 63 800 nënshtetësi ose 9 për qind.

Nga ata që kanë marrë nënshtetësinë e një prej vendeve të BE-së, 84 për qind kanë qënë më parë qytetarë të një vendi jo-evropian.

Nga këto vendet kryesore përfituese janë Maroku, Shqipëria, Turqia dhe Brazili, me gati një të katërtën e numrit total të nënshtetësive të dhëna për 2018.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>