Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje, në rrethana të debatueshme, dy politika që kanë ngjallur kundërshti dhe debat publik: rritjen e çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënien me kocnesion të projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit të shkollave.
Vendimet u miratuan formalisht me 31 vota—minimumi i nevojshëm për të zhvilluar mbledhjen dhe për të marrë vendime—të cilat ishin shpërndarë: 25 anëtarë të PS-së, 2 anëtarë të LSI-së, 3 anëtarëve të PDIU-së dhe 1 anëtare e FRD-së.
PD dhe LSI bojkotuan mbledhjen çfarë do të bënte të pamundur arritjen e kuorumit—numrit minimal të anëtarëve që duhet për zhvillimin e një mbledhjeje të këshillit bashkiak. Këshilli Bashkiak Tiranë ka 61 anëtarë dhe kuorumi për mbledhjet e tij është të paktën sa gjysma e anëtarëve, pra 31 këshilltarë. Koalicioni i djathtë me PD-në ka 19 këshilltarë në Këshill dhe LSI ka 13 këshilltarë, pra së bashku kanë 32 këshilltarë çfarë përbën jo vetëm shumicën në Këshill, por edhe kushtëzojnë arritjen e kuorumit në Këshill.
Saktësisht, dy anëtarë të LSI aq sa duhet për arritjen e kuorumit kanë marrë pjesë në mbledhje, sipas udhëheqësve të LSI-së në shkelje të vendimit partiak. Në dukje mbledhja e djeshme shfaqet si legjitime. Por ka një ndërlikim që e heq legjitimitetin dhe me gjasa edhe ligjshmërinë e mbledhjes së djeshme.
Pjesëmarrja e tre këshilltarëve të PS në mbledhjen e djeshme dhe e një këshilltareje të LSI-së ka qënë e paligjshme. Pesë anëtarë dhe anëtare fillestare të Këshillit, tre të PS-së dhe dy të LSI-së, u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e qershorit dhe nuk janë më këshilltarë bashkiakë. Ndërkohë zëvendësuesit e tyre në Këshill nuk janë betuar ende, pra nuk janë ende këshilltarë.
Ish-këshilltarë që u bënë deputetë janë: Elisa Spiropali, Elona Gjebrea, Klotilda Bushka (Ferhati) të PS-së dhe Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi të LSI-së.
Kjo do të thotë se në fillimin të mbledhjes së djeshme numri maksimal i këshilltarëve socialistë që mund të ishin të pranishëm në seancë ishte 22 nga 25 të zgjedhur. Duke i shtuar atyre këshilltarët e PDIU-së dhe FRD-së dhe Agim Krajën e LSI-së, këshilltar i cili theu bojkotin e LSI-së dhe mori pjesë në mbledhje, numri maksimal i këshilltarëve të ligjshëm që mund të merrnin pjesë në mbledhjen e djeshme ishte 27, pra katër më pak se kuorumi i nevojshëm.
Bashkia Tiranë nuk ka bërë të ditur ende listën e pjesëmarrësve në mbledhjen e djeshme të Këshillit dhe është e paqartë se kush janë katër individët e tjerë që kanë qënë në seancën e djeshme për të bërë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, po kushdo që të ketë qenë ka qenë në mënyrë të paligjshme.
Nëse kanë qenë ish-këshilltaret tashmë deputete socialiste—Gjebrea, Spiropali apo Bushka—pjesëmarrja e tyre është e paligjshme për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tyre me çdo detyrë tjetër veç ministrit.
Gjykata Kushtetuese në rastin e deputetit Ilir Beqja është shprehur qartë se mandati i deputetit fillon që në momentin e certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, pavarësisht se betimi i tyre vjen më pas. Për këtë arsye nuk ka asnjë dyshim ligjor se tre deputetet Gjebrea, Spiropali dhe Bushka nuk mund të ushtronin dje asnjë kompetencë në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nëse ndonjëra prej tyre ka marrë pjesë me gjasa rrezikon të humbasë edhe mandatin e deputetit.
Në mbledhjen e djeshme nuk mund të merrnin pjësë as zëvendësueset e tyre dhe të dy deputetëve të LSI-së (Kërpaçi dhe Braimllari), pasi që ata të zyrtarizohen si këshilltarë duhet që të betohen përpara Këshillit dhe seanca e betimit kërkon kuorumin prej 31 anëtarësh, që nuk mund të arrihej pa pjesëmarrjen e të paktën katër këshilltarëve të PD-së ose të LSI-së dhe dje ka patur vetëm një të LSI-së—Agim Kraja. Pa u betuar pjesëmarrja dhe vota e tyre do të ishte e paligjshme.
Ajo që dihet me siguri është se në seancë ka marrë pjesë dhe ka votuar Genta Mezini, zëvendësuese në parim e Floida Kërpaçit. Për arsyen e mësipërme pjesëmarrja e saj në mbledhje dhe vota e saj është e paligjshme. Ndërkohë që ka dyshime nëse zëvendësuesja legjitime e Kërpaçit është Mezini apo Lindita Veliasit, e cila është renditur më lartë në listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë të LSI-së se Mezini dhe nëse nuk ka ndonjë pengesë tjetër i takon asaj të jetë zëvendësuese e Kërpaçit dhe jo Mezinit.
Të gjitha këto informacione do të sqarohen në ditët në vazhdim, por sidoqoftë paligjshmëria e mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak në Tiranë është tashmë e provuar.