Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka paralajmëruar situatë të vështirë në orët në vijim si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në të gjithë territorin, por theksoi se strukturat e pushtetit dhe infrastuktura janë në gatishmëri të plotë.
Në një konferecë publike të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, Braçe tha se prej 5 ditësh janë mbledhur shtabet e emergjecës dhe janë marrë masat në hidrovore.
“Thuajse se prej 5 ditësh qeveria dhe të gjithë ministrat, pushteti vendor, prefektët kanë mbledhur shtabet e emergjencës dhe kanë dhënë përgjegjësitë. Dua ta theksoj faktin se IGJEUM ka njoftuar për situatë e vështirë prej reshjeve që në datën 6. Ministrja e Bujqësisë, ka qenë prezente në të gjithë territorin dhe ka konntrolluar gjendjen e hidrovoreve, dhe të gjitha kanë qenë në gjedje gatishmërie dhe kanë punuar me kapacitet të plotë.”
Aktualisht të gjitha akset rrugore të vendit janë të kalueshme sipas zv/kryeministrit.
“Drejtoria e rrugëve ka qenë në gatishmëri maksimale dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.”
Ditën e sotme në çdo rajon të Shqipërisë ka patur mbi 100 mm shi sipas Braçes dhe janë goditur më rëndë zona që përmbyten tradicionalisht. Por rreziku në këto zona tha Braçe është minimizuar nga “puna e kryer gjatë verës”.
“Nuk kemi qenë për fushatë elektroale sot në territor por për punë. Nata e sotme do të jetë e vështirë. Gatishmëria në hidrovore është 24/24 dhe infrastuktura ështe e gjitha në gatishmëri. FNSH ushtria janë në gatishmëri. Shpresojmë që situatën të vijojmë ta mbajmë nën kontroll.”
Zv/kryeministri theksoi se “nuk kemi asnjë njeri të rrezikuar nga prurjet e shtuara të lumenjve.”
Disa qytete të Shqipërisë, si Shkodra, Lezha, Fushë Kruja, Gjirokastra, Elbasani, Durrësi, janë përmbytur gjatë dy ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të vazhduara të shiut.