Afati për të kandiduar për Prokuror të Përgjithshëm mbaroi sot më 2 maj, dhe vetëm katër kandidatë kanë dorëzuar dokumentet.
Ata janë:
– Fatjona Memçaj – prokurore pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
– Lulzim Allushaj – avokat që prej vitit 2005
– Olsian Çela – Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda;
– Arta Marku – aktualisht Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Sipas Kushtetutës, kandidatët duhet të kalojnë më parë procesin e vetingut.
Deri më tani vetëm dy prej kandidaturave, Fatjona Memçaj dhe Arta Marku, janë përballur me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe janë konfirmuar në detyrë.
Kushte të tjera që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm janë:
– të plotësojnë kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, pra të mos jenë dënuar në të shkuarën;
– të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990 apo të ndonjë shërbimi tjetër sekret;
– të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
– të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masa disiplinore në fuqi.
Si do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm
Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:
– vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;
– integritetin moral dhe profesional i kandidatit;
– aftësitë organizative dhe drejtuese;
– vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.
Pas vlerësimi, KLP i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm mes tre kandidatëve të renditur të parët në listë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.
Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.
Më herët kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ka deklaruar se në fund të qershorit duhet të jetë zgjedhur Prokurori i ri i Përgjithshëm. Ndërkohë KPK ende nuk ka bërë publike datat për seancat e vetingut për dy kandidatët që ende se kanë kaluar: Olsian Çelën dhe Lulzim Allushajn.