Më 14 nëntor PE shqyrton kandidatin për Komisioner për Zgjerimin

Nga Gerard Gega
Më 14 nëntor PE shqyrton kandidatin për Komisioner për Zgjerimin

Parlamenti Evropian caktoi sot datën 14 nëntor si datë kur do të zhvillojë seancën dëgjimore për shqyrtimin e 3 propozimeve të reja për eurokomisionerë në KE, mes tyre është ai i Oliver Várhelyi-n, kandidat për Komisioner për Zgjerimin.

Komisioni i ri Evropian është votuar të drejtohet nga Presidentja Ursula von der Leyen. Kjo e fundit ka pasur detyrë ngritjen e komisionit të ri duke marrë 26 kandidatura nga shtete të ndryshme anëtare të BE-së.

Aktualisht 23 kandidatura janë shqyrtuar nga PE dhe 3 kandidatura janë rrëzuar. Pas problemeve me kandidaturat e Hungarisë dhe Rumanisë (László Trócsányi dhe Rovana Plumb) PE votoi kundër edhe kandidaturës së Francës (Sylvie Goulard).

Hungaria propozoi Oliver Várhelyin si kandidat të ri për eurokomisioner përgjegjës për Zgjerimin dhe Fqinjësinë.

Rumania propozoi Adina-Ioana Vălean për eurokomisionere përgjegjëse për Transportin. Ndërsa Franca propozoi Thierry Breton-in si eurokomisioner përgjegjës për Tregjet e Brendshme.

Nëse 3 kandidaturat e reja do të miratohen nga PE më 14 nëntor, atëherë një javë më vonë, më  27 nëntor i gjithë Komisioni i ri me 26 kandidatët do të kalohet për votim. Ata votohen në bllok dhe nëse KE-ja e re nuk merr votat e mjaftueshme Presidentja Von der Leyen do të duhet të riformatojë propozime me kandidatura të tjera.

Për Shqipërinë, që mbetet në diskutim për hapjen ose jo të negociatave, është me interes se kush do të jetë eurokomisioneri përgjegjës për Zgjerimin.

Varhelyin është aktualisht përfaqësues i përhershëm i Hungarisë në BE. Ai ka punuar në Ministrinë e Jashtme hungareze dhe ka qenë pjesë e bisedimeve të Hungarisë për anëtarësimin në BE. Gjithashtu, Várhelyi njihet si ndër njerëzit më besnikë të kryeministrit Orbán.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>