Ditën e shtunë më 7 prill, në orën 12:00, aktivistë e qytetarë do të protestojnë kundër tarifave në Rrugën e Kombit, dhënies me koncesion të pasurive publike dhe arrogancës së Qeverisë.
Nisma Thurje, organizatore e kësaj proteste, shkruajnë:
“Ditën e shtunë, në orën 12:00, takohemi të gjithë te Parku Rinia për të marshuar drejt Kryeministrisë e për t’i dhënë një mesazh të fortë Kryeministrit se ne nuk jemi dakord.
Se Shqipëria nuk i përket një grushti të pangopurish, por të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Se zgjidhja nuk është dhuna, arrestmet dhe arroganca por dialogu, transparenca dhe qeverisja me qytetarët duke i pyetur e përfillur mendimet dhe hallet e tyre.”
Duke marrë shkas nga arrestimi dhe lënia në burg në mënyrë të padrejtë të protestuesve kuksianë, aktivistët shprehen se qeverisja me arrogance e Kryeministrit Rama duhet të marrë fund. Megjithatë protesta nuk ka për qëllim të kundërshtojë vetëm rastin e Rrugës së Kombit, por dhe dhënien e pasurive publike, – lumit të Valbonës, Vjosës, hapësirat publike në Tiranë, – një grupi të vogël miqsh të Kryeministrit, në kurriz të gjithë shqiptarëve:
“Nuk ka rëndësi nëse je nga Kukësi apo nga Saranda, nga Dibra apo nga Korça. Të gjithë paguajmë njësoj! E nëse nuk bashkohemi, do të paguajmë edhe më shumë. Nëse nuk reagojmë, Atdheun që na e lanë trashëgim të parët tanë, nuk do jua lëmë dot trashëgim fëmijëve por një grushti politikanësh e biznesmenësh pranë tyre.”