Shqipëria është kthyer në një pikë kryesore tranziti për trafikimin e heroinës dhe kokainës. Kështu kanë shkruar këtë javë media e huaj:
Në median italiane u shfaq dokumentari i gazetarit spanjoll David Berian mbi trafikimin e heroinës dhe kokainës nga Shqipëria në Itali. Në dokumentar, gazetari Berian bisedon me një trafikant italian – bashkëpunëtor i ngushtë me bandat shqiptare, aq sa dhe gjuhën shqipe e flet saktë – i cili pret në brigjet e Italisë, një ngarkesë me pesë kilogramë kokainë. Ai thotë se kokaina prodhohet në Kolumbi, më pas trafikohet në Hollandë, Bullgari, Rumani, Turqi e në fund nga Shqipëria niset me gomone drejt Italisë.
“Një qind, madje 150 kilogramë drogë, dy herë në javë vijnë nga Shqipëria me skaf në brigjet e qytetit italian Pescara” — shprehet një trafikanti italian, i cili prej vitesh jeton në Shqipëri. Ai tregon se në Shqipëri kalojnë çdo vit rreth 2500 kilogramë heroinë vetëm drejt Italisë.
Më tej, në dokumentar tregohet nga afër mënyra e organizimit të punës së një bande që transporton drogë nga Shqipëria në Itali.
Pyetur nga gazetari se përse kokaina transportohet nga vendet e lindjes, trafikanti përgjigjet:
“Sepse këto vende janë më të korruptuara. Këtu policia korruptohet nga uria. Këtu kemi kokainë, por nuk kemi bukë. Këtu një polic fiton 300 euro në muaj, por po t’i japësh 3 mijë euro për një ditë, i ke dhënë pagën e një viti. Kjo është kokainë 100 për qind e pastër” — shpjegoi ai teksa hapi një prej pakove për t’ia treguar gazetarit.
Trafikanti i tregon gazetarit dhe mënyrën se si trafikantët shqiptarë marrin pashaporta europiane: “Ne i vjedhim dikujt identitetin, përshembull, në Itali. Atë pasaportë, që kushton deri në 5000 euro, ia japim atyre që iu duhet, njerëzve tanë.” Për t’ia vërtetuar këtë, trafikanti i siguron gazetarit, brenda pak minutave, një pashaportë shqiptare me emrin Emanuel Leka dhe me foton e gazetarit David Beriain.
Ndërsa, media britanike The Independent shkroi një reportazh, ku Shqipëria konsiderohet si “Kolumbia e Evropës”.
“Një diplomat perëndimor thekson se Shqipëria është kthyer tashmë në një narko-shtet. Bandat shqiptare konsiderohen në të gjithë botën në krye të trafikut të heroinës, kokainës dhe kanabisit. Autoritetet e SHBA dhe BE e kanë përshkruar Shqipërinë si një nga prodhuesit dhe shpërndarësit më të mëdhenj të kanabisit drejt BE-së dhe si një pikë kalimi të rëndësishme për heroinën dhe kokainën. Vetëm në një vit, tregtia e kanabisit gjeneron 4 miliardë euro, sa gjysma e PBB-së të Shqipërisë”, shkruan gazetari Borzou Daragahi, për The Independent.
“Grupet e trafikimit të drogës janë bërë më të sofistikuara dhe më të fuqishme sepse kanë lidhjet e tyre në të gjithë botën, nga Amerika Latinë deri në Europë. Është shumë e qartë se të gjitha këto grupe operojnë së bashku, me një farë niveli politikanësh dhe mbrojtje policore”, vazhdon më tej artikulli.