Mafia shqiptare rradhitet e nënta në botë për nga rrezikshmëria nga Interpol. Gazeta italiane “La gazzetta del mezzogiorno” e quan këtë sistem mafioz si ‘vetëushqyes’.
“Niveli politik ofron mbrojtje të klaneve dhe ata ja kthejnë nderin me para, vota dhe pushtet.”
Kjo favorizohet edhe nga mungesa e vëmendjes nga institucionet ndërkombëtare. Tashmë shqiptarët merren drejtpërdrejt me kolumbianët, turqit dhe italianët. Ekspertët kanë dyshime se qëllimi është kthimi i Shqipërisë në një ‘narko-shtet’ sipas modelit meksikan.
Mesatarisht një tonelatë drogë për çdo udhëtim – pesë ose gjashtë të tilla çdo natë – sjellin nga brigjet shqitpare të Durrësit dhe Vlorës drejt Italisë. Veçanërisht marijuhanë e prodhuar në Shqipëri që shpërndahet më pas në gjithë Europën.
Paratë e narkotrafikut i lejojnë shqiptarëve të investojnë për kokainë dhe heroinë për një fitim shumë herë më të lartë. Durrësi tashmë është kthyer në një pikë të rëndësishme të ‘zbarkimit’ të drogave që vijnë nga Amerika e Jugut.
As Koronavirusi nuk e ngadalësoi aktivitetin në Adriatik. Kjo theksohet në raportin e fundit të agjencisë europiane kundër drogës EMCDDA dhe EUROPOL.
Çmimet janë me rritur 20% dhe mënyra e transportit është përshtatur për kohën e pandemisë, por nuk është ndërprerë në asnjë moment.
Një roje bregdetare në Itali ka kapur një nëndetëse të vogël që drejtohej nga distanca përmes radios. Ajo ishte nisur nga Durrësi me 37 kilogramë drogë dhe kishte bërë disa ndalesa në brigjet e Italisë përpara se të kapej.
Gazetari Gaetano Campione e krahason arrestimet e deritanishme me ‘kokën e kuçedrës që kur e pret, tre të tjera dalin në vend të saj’.
Në ‘zemër’ të krimit modern është ekonomia. Për sa kohë që trafiku i drogës sjell shuma të mëdha parash, që më pas futen në qarqe të ligjshme dhe të paligjshme, Adriatiku do të vazhdojë të jetë autostrada e trafikantëve.