Media kundër reklamave politike falas

Media kundër reklamave politike falas

Shoqata e mediave elektronike ka reaguar kundër ndryshimeve në ligjin e mediave audiovizive. Këto ndryshime parashikojnë se televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të transmetojnë falas reklamat politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ligji për këtë u miratua më 22 maj në mbrëmje, me 118 vota pro dhe 2 kundër, në seancën e jashtëzakonshme parlamentare pas marrëveshjes Rama-Basha në 18 maj.

Në deklaratën e shoqatës së mediave audiovizive thuhet se:

“Ky ligj është miratuar në shkelje flagrante të Kushtetutës e cila garanton lirinë dhe mbrojtjen e pronës private në Shqipëri. Gjithashtu bie ndesh hapur me dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili ka percaktime të tjera për reklamat në fushatën zgjedhore. Ky ligj, është rasti i vetëm në botë që u jep të drejtë partive politike të detyrojnë mediat e lira dhe private t’u bëjnë shërbim falas.”

Ato i bëjnë thirrje “të gjithë radiotelevizioneve në Shqipëri, të mos e njohin këtë ligj grabitqar, të hartuar dhe miratuar në kundërshtim flagrant brenda një mbasditeje, pa u respektuar procedurat parlamentare për hartimin dhe miratimin e ligjeve, pa u dëgjuar më parë aktorët e interesit dhe në fshehtësi të plotë edhe të vetë deputetëve të cilëve u është vënë në tavolinë vetëm pak minuta para votimit”.

Shoqata e mediave propozon se nëse “partite nuk kanë arritur t’i bëjnë kaq lekë, ose nuk duan ti’ tregojnë lekët që kanë bërë gjatë këtyre viteve në pushtet dhe opozitë, të pranojnë me ligj apo VKM që lekët e reklamave të tyre t’i paguajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kanë propozuar më parë.”

“Në rast refuzimi, Shoqata do ta padisë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese ….. duke e denoncuar si akt i grabitjes së pronës private në kundershtim flagrant me çdo normë ndërkombëtare të funksionimit të lirisë se pronës private dhe lirisë së Mediave”, — përfundon deklarata e tyre.

Ky është rasti i parë ku shoqata e mediave audiovizive reagon për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Ndërkohë që Shqipëria para pak ditësh në raportin e Freedom House për Lirinë e Medias u rendit ndër tre vendet e fundit në Evropë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>