Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në Gjermani deri në 19 mijë të infektuar të rinj çdo ditë.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Merkel tha se me uljen e temperaturave, njerëzit do të qendrojnë në ambiente të mbyllura, ku virusi përhapet më lehtë.
Ajo tha se nëse vazhdon përhapja e infeksionit në nivelin aktual, Gjermania mund të përballet me mbi 19 mijë raste në ditë deri në fund të vitit.
Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet shëndetësore gjermane kanë raportuar më shumë se 2 mijë të infektuar të rinj.
Merkel i bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm pasi qeveria po mundohet të shmangë mbylljen e plotë të vendit.
‘Ne duam të veprojmë rajonalisht, specifikisht dhe me qëllim, në vend që të mbyllim përsëri tërë vendin – kjo duhet të parandalohet me çdo kusht,’ u shpreh Merkel.
Aktualisht në Gjermani numri i të infektuarve ka arritur në 289 mijë, ndërsa numri i viktimave në 9545.