Merkel e Macron: Shancet për hapjen e negociatave jo të mira, azilkërkuesit problem serioz

Merkel e Macron: Shancet për hapjen e negociatave jo të mira, azilkërkuesit problem serioz

“Më duhet t’iu them se shanset [për hapjen e negociatave më Shqipërinë] nuk janë shumë të mira.”

Kështu deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel dje në mbrëmje, pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron në Tuluz të Francës.

Presidenti Macron theksoi problemin me azilkërkuesit e shumtë shqiptarë në Francë, një problem që e bën Francën të hezitojë në lidhje me hapjen e negociatave veçanërisht me Shqipërinë:

“Si mund të më kërkoni mua t’ua shpjegoj votuesve të mi, se vendi i dytë që kërkon azil në Francë janë njerëzit që vijnë nga Shqipëria, por që [në Shqipëri] çdo gjë po shkon aq mirë sa tani duhet të hapim negociatat për të hyrë në Bashkimin Europian?!”

Presidenti Macron shtoi se përpara se të vijohet me anëtarësime të reja, BE duhet të reformojë politikën e zgjerimit:

“Përgëzoj përparimin që kanë bërë të dy vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Jam i bindur se Ballkani Perëndimor është një rajon strategjik për Europën. Por ka disa gjëra që duhet të përfundojmë përpara se të hapin negociatat për anëtarësim. Mendoj se duhet të reformojmë procedurën, e cila aktualisht është e pakthyeshme dhe jo progresive.

Do të doja të dërgoja një mesazh pozitiv tek dy liderët, por duke shikuar seriozisht gjërat duhet t’iu them atyre që kësaj radhe na duhet pak më shumë kohë për të zgjidhur gjërat.”

Dy liderët u takuan para mbledhjes së Këshillit Europian që nis sot, për të diskutuar për çështjet kyçe të këtij samiti.

Duket se kancelarja Merkel, e cila mbështet hapjen e negociatave, nuk ka mundur ta bindë Presidentin Makron të ndryshojë qendrim.

Këshilli Europian do të diskutojë më 18 tetor për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi duhet të jetë unanim, nëse edhe një vend voton kundër, negociatat nuk hapen.

Dy ditë më parë, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për të dy vendet, ndaj gjasat që ajo të ndryshojë qendrim dhe të votojë pro hapjes së negociatave nesër, janë shumë të pakta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>