Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje të rinjve të bëjnë pjesën e tyre për të ndaluar përhapjen e koronavirusit pasi festat private janë vatra të shpërthimeve të lokalizuara të infeksioneve në qytetet gjermane.
“Ne duhet t’u bëjmë thirrje veçanërisht të rinjve që të shmangin festat, tani, në mënyrë që të kenë një jetë të mirë nesër ose një ditë më pas”, tha Merkel në një konferencë për shtyp, pasi ra dakord për masa shtesë kundër koronavirusit me krerët e 16 rajoneve të Gjermanisë.
Gjermania po diskuton mbylljen e bareve dhe restoranteve në orën 23:00 dhe kufizimin e festave private deri në 10 persona.
“Ne tashmë jemi në një fazë të rritjes eksponenciale, numrat ditorë e tregojnë atë,” tha ajo pas takimit me drejtuesit e tjerë.