Kancelarja gjermane Angela Merkel të mërkurën hodhi poshtë planet për një mbyllje pesë-ditore gjatë Pashkëve, e cila kishte nxitur konfuzion dhe kritika. Ajo e quajti idenë një gabim dhe u kërkoi falje gjermanëve.
Merkel njoftoi vendimin pas një videokonference me 16 guvernatorët e shteteve të Gjermanisë, të cilët janë përgjegjës për vendosjen dhe heqjen e kufizimeve. I njëjti grup, përballur me rritjen e rasteve të koronavirusit, doli të martën me planin e papritur për kufizime më të forta gjatë Pashkëve.
Plani parashikonte që të mbyllte të gjitha dyqanet dhe të lejonte vetëm supermarketet në ditën e Pashkëve.
Meqenëse e premtja dhe e hëna janë tashmë festa kombëtare, kjo do të krijonte një mbyllje pesë-ditore të jetës publike.
“Ideja e një mbylljeje të Pashkëve u hartua me qëllimet më të mira, sepse ne duhet të arrijmë urgjentisht të ngadalësojmë dhe të përmbysim valën e tretë të pandemisë,” tha Merkel.
“Sidoqoftë, ideja ishte një gabim – kishte arsye të mira për të, por nuk mund të zbatohej mjaft mirë në këtë kohë të shkurtër”, shtoi ajo.
“Ky gabim është vetëm gabimi im, sepse në fund të fundit unë mbaj përgjegjësinë e fundit për gjithçka,” u tha ajo gazetarëve.