Mesazhet e krerëve evropian para Samitit të Sllovenisë

Nga Exit News
Mesazhet e krerëve evropian para Samitit të Sllovenisë

Presidentja e Komisionit Evropian kërkoi të sigurojë gjashtë aleatët ballkanikë të mërkurën se ata ishin një “familje evropiane” dhe se një ditë do t’i bashkoheshin bllokut.

“Mesazhi është se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne i duam ata në Bashkimin Evropian. Ne jemi një familje evropiane,” tha von der Leyen për gazetarët teksa mbërriti në samitin me udhëheqësit e Ballkanit në Slloveni.

Deklarata erdhi pas raporteve të javës së fundit se vendet anetare të BE-së nuk ishin të bindura për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, 18 vjet pas Samitit të Selanikut kur kjo perspektivë u dha për herë të parë.

Ndërkohë, kryeministri i Holandës, Mark Rutte u shpreh i pakënaqur me bllokimin që Bullgaria po iu bën negociatave të Maqedonisë së Veriut, vendim që po pengon nisjen e bisedimeve edhe për Shqipërinë.

“Duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut janë ende të bllokuara. Mendoj se duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shumë  shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë,” deklaroi Rutte.

Kancelari austriak Kurz mbajti një qëndrim pothuajse të njëjtë, por mori një tjetër kënd duke thënë se nëse BE-ja nuk ofron një perspektivë serioze për Ballkanin Perëndimor, atëherë superfuqitë e tjera si Kina, Rusia apo edhe Turqia do të zgjerojnë influencën e tyre në rajon.

Presidenti francez, Emmanuel Macron u shfaq më tepër i shqetësuar për projektin e mbrojtjes së përbashkët evropiane, e cila i la krerët evropian të ndarë. Ai u tha gazetarëve një ditë më parë se blloku duhet të bëjë më shumë për të menaxhuar krizat në kufijtë e tij dhe të jetë përgjegjës për sigurinë e tij.

Së bashku me kancelaren gjermane në ikje, Angela Merkel ai pritet të ndërmjetësojë një takim mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alaxandar Vuçiç, pas krizës që buroi nga vendosja e reciprocitetit të targave javët e shkuara.

Në fund të konferencës vendet e rajonit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, në kuadër të procesit të Berlinitm pas të cilit BE-ja do të investojë 30 miliardë € mes Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjes.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>