Do të ishte e vështrirë të imagjinohej si mund të përballonim këtë situatë të vështirë pa këshillat, fjalët dhe pëqafjen disa herë në ditë të Udhëheqësit tonë Edi Rama.
Qysh ditën që na mbylli në shtëpi ai lajmëroi me largpamësi se “xixat do të fillojnë nesër. Duhet ta marrim me qetësi… të stërvitemi për një luftë që nuk do të jetë e shkurtër me zakonet e jetës së përditshme që na cimbisin në çdo moment.”
Por ai na premtoi se si Jezusi është i gatshëm që të sakrifikohet për të na shpëtuar teksa na tha “më shani dhe më mallkoni mua por masat do të shtrëngohen”.
Dhe nuk na ka lënë asnjë çast vetëm duke na dhënë nga këshillat mjekësore, tek ato ushqimore dhe të fiskulturës. Kur këto nuk na kanë hequr ligështinë ai na ka përqafuar prapë, dhe prapë.
Më poshtë Exit News po sjell disa nga mendimet dhe citatet kryesore të Udhëheqësit tonë gjatë këtyre ditëve, pa shtuar apo ndryshuar asnjë fjalë.
Thënie të mënçura për të gjitha kohët
Më e mira do të bëhet.
Më të mirë dhe më të fortë do të dalim prej kësaj.
Armatosuni me durim dhe shtrëngoni dhëmbët duke kufizuar lirinë tonë.
Durim. Durim. Durim
Ajo shprehja qesharake e kohës së zboreve, “I gjithë populli ushtar”, sot është motoja e luftës me armikun e padukshëm!
Ja ku më keni dhe mua: hyr e dil nga ballkoni. Nuk ka ofiq dhe gjatësi që na dallon në këtë mes.
Do t’i mundim zakonet e jetës normale, duke u armatosur me durim.
Le të gjejmë të mirat jo të vogla brenda kësaj të keqe më të madhe duke lidhur shumë fije të këputura vëmendje dhe angazhimi me fëmijët dhe me prindërit tanë.
Mbi prognozën e sëmundjes
Shumica e atyre që do preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë.
Shumica do ta kalojnë në shtëpi, si grip i përkohshëm.
Shumica e tyre që shkojnë, në spital do të shërohen.
Temperaturat e motit do të dobësojnë forcën goditëse të këtij armiku të egër.
Javën e ardhshme do të kemi më shumë të infektuar dhe në javën tjetër do të ketë edhe më shumë.
Vetëm në javën e tretë mes marsit dhe prillit do të kemi mundësinë të shohim ku kemi arritur ne dhe ku ka arritur armiku.
Këshilla për qytetarët
Ti mbajmë dritaret hapur gjatë gjithë ditës për ajrosjen e shtëpisë dhe të fikim ajrin e kondicionuar.
Mos i lejoni të moshuarit dhe fëmijët të dalin nga shtëpia, ju lutem!
Mos dilni xhiro familjarisht nga liqeni i Tiranës.
Stolat e parqeve dhe këndet e lodrave në natyrë janë burim rreziku!
Hapja e dritareve sa më shumë gjatë gjithë ditës ndihmon në ruajtjen prej tij.
Të mos lëvizim me makinë, të mos ulemi në kafe, të mos takojmë njëri tjetrin, të mos shohim nënë e babë. Nëse nuk duam të shkojmë me këmbët tona si cjapi tek kasapi.
Dalje sa më pak nga shtëpia, vetë izolimi 14 ditë nëse keni ardhur nga një zonë e prekur.
Mos lejoni të moshuarit të dalin nga shtëpia.
Kujdesuni për fëmijët.
Unë po bëj ushtrime frymëmarrje joga dhe ushqim në harkun kohor të 8 orëve dhe 16 orë agjërim. E kam me provë është super për trupin dhe për mendjen.
Ju përqafoj nga larg, dhe mos harroni këshillat: lani duart, hapni dritaret, kujdesuni për të moshuarit, merruni me fëmijët dhe armatosuni me durim, durim dhe vetëm durim.