Presidenti Ilir Meta akuzoi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë se jepte “show me në 3D”, ndërkohë që rrugët u bllokuan nga bora.
Meta u shpreh në një postim në Facebook se qeveria nuk kishte asnje kapacitet “si borëpastruese, fadroma e traktorë, në segmentet rrugore për të operuar qysh në orët e para të dëborës dhe stuhisë, duke i braktisur njerëzit e bllokuar në automjete, që qarkullonin në rrugë”.
“Kompanitë kontraktore nuk kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar miliona euro kontrata”, shtoi Meta.
Ai tha se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për rreshjet e borës në vend, qeveria nuk morri asnjë masë.
Presidenti i bëri thirrje qeverisë të “përmbushë detyrimet ligjore, të marrë të gjitha masat për furnizimin me ushqime, evakuimin në rastet kur kërkohet, si dhe për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore”.