
Presidenti Ilir Meta akuzoi të premten qeverinë se bizneset nuk trajtohen njësoj sa i takon pagimit të taksave. Meta u shpreh se bizneset nuk mbështeten njësoj dhe prandaj investitorët largohen.
Sipas tij në Shqipëri taksat iu vilen vetëm bizneseve, që nuk janë të lidhura me qeverinë.
Presidenti i bëri thirrje qeverisë që të reagojë ndaj këtij selektiviteti për të ndalur shpopullimin dhe për të mbështetur bizneset.
Në një postim në Facebook Meta shkroi:
“Bizneset nuk mbështeten njësoj, ndaj investitorët largohen. Të forcojmë ekonominë duke luftuar pabarazinë, korrupsionin dhe klientelizmin politik! Një klimë e mirë biznesi do të thotë më shumë vende të reja pune, më shumë investime, më shumë zhvillim”.