Procedurat për financimin e rrugës Vlorë – Orikum kanë parregullësi ligjore ka thënë sot Presidenti Ilir Meta, ndërsa shtoi se me anulimin e projektit të rrugës Peshkëpi – Selenicë, qeveria ka gënjyer Kuvendin, presidentin dhe qytetarët.
Gjatë një konference për shtyp nga Selenica, Meta iu rikthye çështjes së rrugës së lumit të Vlorës dhe asaj që lidh Vlorën e Orikumin, për të cilën u akuzua nga kryeministri Rama se e ka bllokuar duke mos dhënë autorizimin për plotfuqinë.
Meta sqaroi se fondet për rrugën Peshkëpi – Selenicë, e cila financohej nga një hua e Fondit Saudit, janë tërhequr me kërkesë të institucioneve shqiptare për të financuar projektin e rrugës Vlorë – Orikum. Por nga ana tjetër sipas presidentit, qeveria ishte zotuar se do të përfundonte lotin e 4 të Peshkëpi – Selenicë me fonde nga buxheti i shtetit.
“Presidenti ka studiuar relacionin e Kuvendit, dhe në relacion ishte i qartë angazhimi i qeverisë se këto fonde hiqeshin pasi do përdoreshin në projekt tjetër. Ndërsa projekti i Selenicës do financohej nga buxheti i shtetit. S’kishim arsye se parlamenti e qeveria po gënjente Presidentin. Fakti është që ne kemi kthyer edhe buxhetin, nuk ka asnjë qindarkë për projekt të anuluar të anashkaluar. Revolta dhe pakënaqësia e banorëve është e drejtë. Ka qenë projekt i gatshëm, financim i sigurt, por premtim i bërë disa herë. Shpreh mbështetjen time për realizimin e këtij projekti qoftë buxhetit qoftë financim të huaj.”
Gjatë një vizite në Selenicë ku takoi dhjetra banorë, të hënën, Meta tha se të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës.
Sa për projektin e rrugës Vlorë – Orikum, Meta ripërsëriti se ka shkelje të Kushtetutës në procedurat e financimit.
Meta pretendon se ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka shkelur Kushtetutën, pasi komunikimi me investitorin, Fondin Saudit, nuk është bërë nga vetë ajo, por nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Më herët presidenti ka akuzuar qeverinë se ka shkelur Kushtetuën, pasi sipas tij për negociatat mes qeverisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, nuk është marrë autorizimi i tij.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka akuzuar presidentin Ilir Meta për bllokimin e financimit të rrugës Vlorë-Orikum.
Presdidenti Meta ka adresuar disa herë si shkelje të Kushtetutës rastin e rrugës Vlorë-Orikum, me shkresa drejtuar ministrisë si dhe me dalje mediatike.
Ndërkohë ndaj akuzave të presidentit dhe shkresave që ai i ka dërguar ministres Denaj, ajo është shprehur e befasuar.
Sipas saj, qeveria nuk ka negociuar më me Fondin Saudit pasi negociatat ishin zhvilluar më parë kur ishte dhënë huaja për rrugën.