Presidenti Ilir Meta akuzoi qeverinë Rama se përmes patronazhistëve kontrollon dhe kërcënon mbështetësit e opozitës. Deklaratën e tij, Meta e mbështeti në dëshminë e Erion Manes, pronar i kompanisë Matias Travel, në konferencën për shtyp, të hënën.
Zoti Mane akuzoi qeverinë se e gjobiste pa të drejtë sepse ishte mbështetës i LSI-së. Ai publikoi komunikimin me drejtorin e Përgjithshëm të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, në konferencën për shtyp të Presidentit Ilir Meta, të hënën.
Ai tregoi se pas ankesave drejtuar Gonxhes për gjobitjen pa të drejtë të bisnesit të tij, ai si kundërpërgjigje i ka dërguar një foto të Monika Kryemadhit postuar në Facebookun e zotit Mane.
Presidenti deklaroi se Zoti Mane do të mbrohet nga një prej shoqëruesve të tij.
“Patronazhistët kontrollojnë se kush bëjë postime pro opozitës. Më pas i shpërndajnë partisë shtet dhe i krijonë pengesa të paligjshme që ja bëjnë jetën të pamundur. Ti je në besën timë. Cdo gjë që të ndodh ty e kam personale me bablokun e Rilindjes”, e siguroi Meta, zotin Mane.
Ai e quajti skemën e patronazhistëve një “skemë mafioze tip gestapo, çdo qytetar është në survejim, çdo qytetar është i survejuar në rrjete sociale”.
Meta premtoi se çdo 3 deri në 4 orë do të ketë një denoncim kundër qeverisë në lidhje me skemën e patronazhistëve.