Meta: Evropa do të ndërgjegjësohet për grushtin e shtetit që po ndodh në Shqipëri

Nga Exit News
Meta: Evropa do të ndërgjegjësohet për grushtin e shtetit që po ndodh në Shqipëri

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do të marrë pjesë në seancën plenare të Komisionit të Venecias për t’i treguar përfaqësuesve ndërkombëtar përpjekjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese (GJK).

Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Meta thotë se më 8 nëntor 2019, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani ka komunikuar me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi rreth ecurisë së procesit të emërimeve në GJK. Në këtë komunikim Dvorani ka:

  • keqinformuar dhe fshehur informacion mbi vullnetin e shprehur nga Presidenti për emërimet
  • pa zhvilluar mbledhje të KED-se, pa e patur në kompetencë (Dvorani) konstaton zgjedhjen e një anëtari të GJK

Meta kujton se një ditë më parë, KED, pas një mbledhje të Këshillit, qe shprehur se “nuk mund të komentonte qëndrimin e Presidentit për emërimet, pasi do të përbënte tejkalim kompetencash”.

Për keto arsye Meta thotë se:

“[…] do të marr pjesë në seancën plenare të Komisionit të Venecias, në mënyrë që e gjithë Europa të ndërgjegjësohet për grushtin e shtetit që po ndodh këtu.”

Presidenti kërkon që Dvoranit t’i ndalohet ushtrimi i detyrës dhe t’i përgjigjet SPAK-ut:

  1. Përse nuk thirri KED-në, të shqyrtonte dhe të shprehej për shkresën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë?
  2. A është në kompetencën e tij që të përcaktojë vullnetin e gjithë Këshillit, duke e përfaqësuar në marrëdhëniet me të tretët, pa marrë autorizimin e anëtarëve të këtij Këshilli?
  3. Si mundi të thyente vendimin e Këshillit të KED-së, për t’iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit?

Në një postim në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, e cilesoi komunikimin e denoncuar nga Presidenti, si dëshmi se “të përdorimit të Ardian Dvoranit si mekanizëm për kapjen politike të Gjykatës Kushtetutese nga Edi Rama”. Ai i kërkoi SPAK-ut veprim të menjëhershëm ndaj këtij rasti.

Emërimet e Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllarit kanë krijuar ngërç në Gjykatën Kushtetuese. Secila pretendon të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti.

Për situatën e krijuar, në nëntor 2019, Meta e paditi Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore”, por Prokuroria e Tiranës shpalli moskopetencë. Presidenti e fajësoi Dvoranin me disa video si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante. Në janar 2020 Meta i ka kërkuar Komisionit të Venecias shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara për emërmet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>