Meta i drejton 10 pyetje Sorecas dhe i kujton qëndrimin e Wadephul

Meta i drejton 10 pyetje Sorecas dhe i kujton qëndrimin e Wadephul

Pas thirrjes në Twitter nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë “për nevojë urgjente për dialog”, Presidenti Ilir Meta i ka drejtuar atij 10 pyetje publike duke i vënë në diskutim punën e kryer gjatë kësaj periudhe.

Presidenti, fillimisht, e falenderoi ambasadorin Soreca për thirrjen për dialog dhe pasi i shtroi atij pyetjet e mëposhtme, i ka rikujtuar ambasadorit qendrimet e bëra nga zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, i cili është shprehur se “nëse nuk pranohet vendimi i Presidentit çdo gjë tjetër është joevropiane.

Pyetjet e Presidentit Meta për Ambasadorin Soreca ishin:

  • A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë Z. Ambasador?
  • A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve?
  • A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane?
  • A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anullimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve?
  • Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht?
  • A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Wadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, madje u ofruan për moderimin e këtij dialogu me qëllimin e mirë për të ndihmuar në çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave?
  • A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve?
  • A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?
  • A e keni sqaruar Z. Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë Kriteret e Kopenhagut, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në tetor 2019?
  • A e dini ju që, po dje Presidenti ka theksuar, duke patur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend?

Pas këtyre pyetjeve Presidenti i pohon ambasadorit Soreca se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për delegacionin e BE-së gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>