Presidenti Ilir Meta kallëzoi sot në prokurori Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Kallëzimin Presidenti e njoftoi përmes një postimi në Facebook. Ai tha se “po i jepte mundësi historike reformës në drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”.
Presidenti e ka kallëzuar Zotin Dvorani për “shpërdorim detyre”. Nga zyra e shtypit pranë Presidentit Meta kanë bërë me dije se kallëzimi ndaj kryetarit të KED-së do të dorëzohet në tre prokurori: Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Tiranës.
Kallëzimi vjen pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese ku Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari pretendojnë të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti. Zoti Meta e fajëson Zotin Dvorani si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar qëllimisht dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante.