Presidenti Ilir Meta ka dënuar veprimin e Kryeministrit Rama ndaj gazetares Edona Haklaj gjatë komunikimit me median. Ai i ka bërë thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht ndaj atij që Meta e quan “vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit” ndaj gazetarëve dhe grave.
Meta shkruan se veprimi i Ramës është i papranueshëm “për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale”.
Sipas presidentit ky është një “sulm i dënueshëm” dhe ai akuzon kryeministrin se kjo është një sjellje e përsëritur ndaj gazetareve dhe grave.
Ky është “vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi”, shkruan Meta.
Presidenti mbyll reagimin e tij duke u shprehur se duhet treguar “zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë”.
Kryeministri Edi Rama largoi me dorë gazetaren Edona Haklaj pasi ajo nuk kishte maskë. Rama e pyeti gazetaren: “Ku e ke maskën”, dhe më pas e largoi fizikisht duke e shtyrë me dorë. Ngjarja ndodhi para shkollës ‘4 Dëshmorët’, me rastin e nisjes së vaksinimit të mësuesve.
Më herët ndaj këtij episodi reagoi edhe Partia Demokratike përmes Albana Vokshit e cila u shpreh se “të prekësh me dorë një gazetar është fundi për një politikan”.