Presidenti Ilir Meta ka kujtuar masakrën e Srebrenicës, “gjenocidi i një shkalle të paprecedentë në zemër të Europës, që nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte”.
Duhet “t’u dërgojmë një mesazh të qartë brezave të ardhshëm, për të mos i harruar dhe për të mos i lejuar kurrë më të tilla mizori të ndodhin në rajonin tonë”, shkroi Meta në nëj postim në Facebook.
Presidenti bëri thirrje për bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjitha vendet.
“Është e një rëndësie jetike që bashkëjetesa etnike-fetare dhe kulturore të ruhet e të forcohet, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, qoftë edhe duke ricikluar ide që sjellin ndërmend shpërnguljet masive, në mënyrë që tragjeditë e përjetuara t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur por jo shumë të largët të rajonit”, shtoi Meta.