Presidenti Ilir Meta i dërgoi të mërkurën letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kuvendit për situatën e zgjedhjeve dhe për sulmin në zyrën e FRD.
Meta është shprehur në letër sipas BË se “situata parazgjedhore është cënuar rëndë”.
Presidenti i referohet përplasjes që ndodhi pak ditë më parë në zyrën e FRD mes tij dhe policisë bashkiake.
“Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë”, thotë Meta në letër.
Presidenti u ndal edhe tek incidenti që ndodhi në Elbasan mes PS dhe PD.
“Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë”, thuhet në letër.
Ai thotë se “sulmi në zyrën e FRD bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore”.
Presidenti shprehet se sulmi është tregues i “sjelljes së papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës”. Sipas tij qëllim është të dëmtojë aktivitetin kushtetues të opozitës në zgjedhje.