Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në parlament ndryshimet e bëra nga qeveria në 2 ligje atë për mediat audiovizive dhe komunikimet elektronike. Këto ndryshime qeveria i paraqiti si “paketa anti-shpifje”.
Në njoftimin zyrtar të Presidencës theksohet se paketa anti-shpifje shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik dhe të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit.
Katër argumentet kryesore që presidenti jep janë:
Paketa anti-shpifje
- Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;
- Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;
- Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
- Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Presidenti thotë se kompetencat që ligjet i japin AMA-s dhe AKEP-it, masat e dënimeve, si dhe mënyra e ekzekutimit të këtyre sanksioneve, apo të masave të tjera ndëshkuese duhet rishikuar dhe ndryshuar nga Kuvendi, pasi paketa aktuale vendos në disbalancë dhe krijon rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare.
Po ashtu, presidenti argumenton se delegimi me ligj i kompetencave të gjykatës një organi administrativ, që Kushtetuta nuk ia lejon, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike.
Meta shkruan se miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale.
Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.
Paketa anti-shpifje u miratua në 18 dhjetor 2019 dhe ndryshon dy ligje të medias. Ndryshimet u kritikan ashpër nga gazetarët, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike. Kritikat theksonin se me ndryshimet në ligje autoritetet shtetërore merrnin atribute të gjykatave dhe mund të censuronin mediat. Pavarësisht kritikave shumica socialiste votoi pro saj.