Presidenti Meta iu përgjigj sot kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi, i cili tha se e pret presidentin në kuvend kurdoherë për të diskutuar për Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se sa herë presidenca ka pyetur në lidhje me procedurën e emërimit të anëtarëve në GjK, nuk ka marrë përgjigje.
Meta pyeti Ruçin se përse duhej krijuar kjo situatë, ku vendit i mungon Gjykata Kushtetuese, kur presidenca ka zbatuar çdo afat dhe ka kërkuar bashkëpunim me kuvendin, por ky i fundit nuk i është përgjigjur:
“Përse duhej të krijohet kjo situatë kur presidenti në kohën e duhur i ka kërkuar [Kuvendit] bashkëpunim, i ka kërkuar luajalitet kushtetues, i ka kërkuar të veprojë sa më shpejt për anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka marrë asnjë lloj përgjigje, përkundrazi, atij dhe deputetëve, tre orë para se të vendosnin për vakancat e tyre ka bërë mesazh publik që e ka marrë vesh gjithë Shqipëria.”
Meta tha se pret nga kryetari i Kuvendit Ruçi të kërkojë hetime për përfshirjen e Ministrisë së Drejtësisë në vonesat e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai i kërkoi Ruçit që në këtë betejë të pozicionohet ose me shtetin e së drejtës ose me grupin mafioz që po mundohet të kapë Gjykatën Kushtetuese:
“Të paktën unë mendoj që ai në përkrahje të shtetit ligjor do të kërkojë hetime për çështjen e Ministrisë së Drejtësisë sepse ai e kupton shumë mirë që është vepër e patolerueshme, se ndoshta ka pasur idenë se vendimi është publilkuar nga KED. Faktet e reja që dolën kërkojnë dhe një analizë për tu pozicionuar në anën e shtetit të së drejtës apo në anën e një grupi mafioz që po asgjëson dhe atë pak legjitimitet që i ka mbetur kuvendit.”
Më herët Presidenti Meta ka bërë letrën që i ka nisur Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi, ku shpjegon shqetësimin për tentativat e shumicës socialiste për të kapur Gjykatën Kushtetuese.