Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se nuk ka një plan për të përballuar përhapjen masive të pandemisë së Covid-19.
Në një postim në Facebook, të martën Meta tha se mungesa e strategjisë ka sjellë “shtimin çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve”.
Meta i kërkoi qeverisë të rrisë numrin e testimeve “si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19”.
Ai gjithashtu kërkoi “vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre”.
Si dhe i kërkoi të rimbursojë shpenzimet, “veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve”.