Presidenti Ilir Meta e quajti vendimin e SHBA-ve për të shpallur ish presidentin Sali Berisha non grada, fletërrufe.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se vendimi erdhi në një kohë kur ende nuk është mbyllur procesi zgjedhor në vend.
“Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.”
Meta bëri publik mesazhin e tij të solidaritetit ndaj Berishës, në të cilin shkruan:
“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë.”