“Terrorizmi e ekstremizmi fetar lindin nga varfëria dhe kur shpresa për të ardhmen shuhet nga keqqeverisja”. Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta në fjalën e hapjes së Konferencës ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen”, e organizuar nga Presidenca dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Presidenti falenderoi përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend “që kanë qenë bashkë për integrimin” e vendit në BE. Ai tha se:
“Shqipëria është angazhuar për në BE. Dua të falenderoj të gjithë udhëheqësit e fetar që kanë qenë bashkë për integrimin. Kjo është aspirata e vetme që na bashkon dhe na garanton në BE”.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u shpreh se Kosova ka marrë masa kundër ekstremizmit dhe atyre qe marrin pjesë në luftërat e huaja:
“Kosova do të jetë gjithmonë kundër ekstremizmit. Kemi marrë masa ndaj atyre që kanë nxitur urrejtje dhe pjesëmarrje ne luftëra të huaja. Po punojmë me të kthyerit nga luftërat.
Kosova ka shumë arritje. E arritura e parë është se nuk kemi lejuar në luftën për liri dhe pavarësi të implikohet feja. Luftëtarët nuk kanë lejuar asnjë ideologji të bëhet pjesë e luftës për liri dhe pavarësi.
Asnjëherë nuk kemi pasur konflikt fetar. Udhëheqësit fetarë kanë ndërtuar ura bashkëpunime mes tyre, takohen në festa dhe kërkojnë rrugë bashkëpunim mes tyre dhe kështu dërgojnë mesazhin e tolerancës dhe bashkëjetesës.”
Në konferencë ishin të pranishëm edhe Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Telat Xhaferri, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Kardinali Troshani, përfaqësues të tjerë të besimeve fetare në Shqipëri si dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.