Mijëra qytetarë i bashkohen protestës së opozitës

Mijëra qytetarë i bashkohen protestës së opozitës

Mijëra qytetarë po protesojnë përpara Parlamentit. Ata i janë bashkuar protestës së thirrur nga opozita ditën e shtunë. Dje, deputetët e opozitës dhanë zyrtarisht dorëheqjen nga mandatet parlamentare. Në një intervistë për median italiane Rai, Kryetari i opozitës Basha tha se:

“Ky është një akt ekstrem. Ne nuk presim përgëzime, por urojmë vetëm një gjë, [të arrijmë] standardet dhe vlerat e demokracisë europiane dhe amerikane. Në Europë, kur një kryeministër kapet duke vjedhur rezultatin e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe kjo është transmetuar publikisht në mediat ndërkombëtare, ajo qeveri duhet të largohet dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”.

Gjithashtu, Zoti Basha tha se opozita gjithmonë ka kërkuar protesta paqësore.

“Ne nuk kemi kërkuar kurrë dhunë. Ne kemi kërkuar gjithmonë protestë paqësore. Situata në vend është shumë e rëndë. Ka papunësi të lartë, varfëri të madhe në të gjithë vendin, dhe kjo e ka zemëruar popullin, që tani e di se varfëria nuk vjen se vendi është i varfër, por sepse vendi dhe populli janë vjedhur.”

Ndërsa për qëndrimin e diplomatëve të huaj kundër vendimit të opozitës për lënien e mandateve, Basha tha se:

“Kjo është një Parti që lindi me ëndrrën për ta bërë Shqipërinë pjesë të Europës, dhe ne luftojmë për vlerat europiane ;ne luftojmë për demokracinë, për ndarjen e pushteteve, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa këto nuk ka të ardhme për vendin tim, nuk ka të ardhme europiane dhe nuk ka të ardhme për shqiptarët. I kërkoj miqve tanë të kuptojnë se kjo masë ekstreme është marrë në kushte ekstreme.

Dhe i kërkoj atyre të mos kërkojnë nga populli shqiptar diçka që ata nuk do e pranonin kurrë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>