“Nuk jam këtu për të kërkuar pushtet për vete, nuk jam për të zaptuar, për të qenë mbi ju. Jam këtu për të marrë kurajë dhe për të dhënë kurajë. Për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju. Çfarë na pret përpara nuk më sfida e një njeriu, udhëtimi i një njeriu është udhëtimi i të gjithë shqiptarëve. Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim. Kjo është një valë që po ngrihet, e po ngrihet”. Kështu u shpreh Kryetari i opozitës Lulzim Basha përpara protestueseve të mbledhur sot përpara godinës së Kryeministrisë.
Protesta me qëllim largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në lidhje me skandalin e vëllait të tij, i dënuar në Itali pa bërë asnjë ditë burgim dhe i akuzuar se ka vazhduar trafikun e drogës në Shqipëri, zgjati për dy orë dhe u mbyll e qetë.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se e vetmja rrugë për marrjen e dritës jeshile nga Bashkimi Evropian është largimi i kësaj qeverie. Basha tha se “Rilindja” është një projekt antikombëtar dhe kriminal që plaçkiti vendin. Ai shtoi se:
“Pushteti i sotëm nuk është më pushteti i njerëzve por pushteti i një pakice të zhytur që zhytet përditë e më shumë në krim. Një pakicë që zhvat çdo ditë e më shumë paratë e shqiptarëve. Sot ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Sot nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë por ndarjen e politikës nga krimi, nga e keqja. Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë”.
Në përfundim të protestës, kryetari i opozitës Basha tha se:
“Populli dha sot mesazh të qartë qeverisë së krimit. Ne do vazhdojmë përpjekjet kundër qeverisë më anti-evropiane në botë. Sot shqiptarët folën dhe sot foli dhe Evropa. Nuk ka integrim me pushtetarët që mbrojnë të afërmit te tyre të kapur nga krimi. Për një jetë më të mirë, do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”.