Minatorët në Bulqizë bojkotojnë punën, 5 muaj të papaguar

Nga Exit News
Minatorët në Bulqizë bojkotojnë punën, 5 muaj të papaguar

Dhjetëra minatorë të kompanisë ALB-MI në Bulqizë kanë bojkotuar të martën punën pasi kërkojnë pagat e prapambetura të disa muajve.

Minatorët janë shprehur se përgjatë vitit 2020-2021 nuk kanë marrë pagat e disa muajve dhe tashmë nuk marrin dot më as borxh për të blerë ushqime.

Një prej minatorëve, Luan Shehu, thotë se nuk do të kthehet në punë nëqoftëse kompania nuk u paguan pagat dhe siguracionet. Ai pretendon se minatorët janë gënjyer duke iu premtuar pagesat nga muaji në muaj.

“Kam një milion e gjysëm lek borxh pa paguar tek dyqani i lagjes për ushqime, pa llogarit gjëra të tjera. Prandaj kemi dalë këtu se na ka ardhë litari në fyt”, thotë Elson Zeneli, një nga minatorët protestues.

Minatorët janë mbështetur nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e cila ka denoncuar mos reagimin e qeverisë për situatën e krijuar.

Kreu i saj, Elton Debreshi u shpreh se kjo është një situatë e përsëritur për minatorët megjithatë ai shton se problemi nuk janë vetëm pagat.

“Baza materiale po thuajse është zero, madje siç janë çizmet dhe veshmbathjet, kasketat, llampat detyrohen që punëtorët t’i blejnë vetë. Siç e përmendën edhe shokët, pagat një pjesë e madhe gjysma i marrin në dorë dhe gjysma i marrin në bankë”, u shpreh Debreshi.

Problemi i mosdhënies së pagave është pranuar edhe nga kompania ALB-MI. Adrministratori, Faik Dedja ka thënë për BIRN se minatorëve nuk u janë dhënë pagat e 5 muajve. Për këtë situatë ai ka fajsuar rënien e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare.

Zona e Bulqizës është një nga zonat më të pasura minerare të Shqipërisë nga ku nxirret kryesisht krom. Megjithatë ajo ka mbetur zona më e varfër e vendit. Minatorët ankohen vazhdimisht për kushtet e vështira në të cilat punojnë dhe problemet me pagat e prapambetura si dhe me sigurimet shoqërore.

Disa ditë më parë, një 35-vjeçar humbi jetën në galeritë e kromit të administruar nga Albchrome.

Statusi i minatorit mbetet prej vitesh një kërkese e minatorëve e cila nuk është plotësuar nga asnjë qeveri megjithëse është premtuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>