
Nisma e ‘Mini Shengenit’ u pagëzua sot me emrin e ri ‘Open Balkan’ në Forumin Ekonomik të Shkupit ku u takuan kryeministri Edi Rama homologu i tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Vuçiç, të cilët firmosën dy memorandume dhe një marrëveshje.
Memorandumi për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor synon të thjeshtojë procedurat e importit dhe eksportit në dogana mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Memorandumi i dytë është ai për krijimin e një tregu të përbashkët të punës mes tre vendeve. Kjo synon që qytetarët e secilit vend të mund të punojnë brenda tre vendeve dhe të marrin lejen e punës dhe të qëndrimit pa vonesa.
Vendet nënshkuan memorandume për këto çështje pasi Serbia dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojnë ligjet për të bërë të mundur zotimet. Më pas ato mund të nënshkuarjnë marrëveshje, e cila ka karakter juridik detyrues.
Marrëveshja e nënshkruar është për bashkëpunimin për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat. Sipas saj, në rast katastrofash natyrore në Serbi, Shqipëri apo në Maqedoninë e Veriut, ekipet e emergjencës së tre vendeve do të ndërhyjnë sëbashku.