Ministri Çuçi kundër fermerëve: Bujqësia s’ka nevojë për ndihmë ekonomike, nuk është dëmtuar

Nga Exit News
Ministri Çuçi kundër fermerëve: Bujqësia s’ka nevojë për ndihmë ekonomike, nuk është dëmtuar

Ministër i Bujqësisë Bledi Çuçi deklaroi, mbrëmjen e 6 majit, se qeveria nuk do të hartojë një paketë të veçantë për të ndihmuar bujqësinë, pasi ajo nuk është dëmtuar fare nga pandemia e Covid-19.

Duke folur për televizionin A2, zoti Çuçi u shpreh:

“Bujqësia nuk ka pësuar asnjë destabilitet për shkak të Covid-19.

Përkundrazi, ka pasur rritje në prodhim, eksporte dhe shitje. Atëherë, pse duhet të kemi një paketë të veçantë?!”

Ministri tha se “bujqësia ka qenë i vetmi sektor që nuk ka pushuar asnjë sekond së punuari gjatë pandemisë” dhe, sipas tij, “nuk është cenuar as prodhimi dhe as qarkullimi i mallrave”.

Por ky pretendim i ministrit nuk mbështetet nga fermerët, të cilët në dy muajt e pandemisë vazhdimisht kanë bërë publike problematikat e tyre.

Një prej tyre është mungesa e punëtorëve në kohën kur tokat duhet të ishin punuar dhe bërë gati për mbjedhje. Ndalimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mungesa e transportit publik kanë bërë që punëtorët të mos shkojnë dot në tokat që duhen punuar e për pasojë ato të mbesin të papunuara.

Shumë prej familjeve që merren me bujqësi kanë angazhuar në punë familjarët e tyre, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme.

Po ashtu, problemetike ka qenë mosbërja e shërbimeve të duhura ndaj të mbjellave të ndryshme. Në një intervistë për ABCNews, një fermer në fshatin Grevë në Dibër tregoi se shumë prej të mbjellave të tij do të dëmtohen pasi nuk janë spërkatur brenda afateve me ilaçet e nevojshme, për shkak të mbylljes së farmacive bujqësore.

“Kjo brenda 10 ditëve çel, mirëpo nëse nuk bëhen këto shërbime kjo është tepër me humbje për fererët. Duhet patjetër që të hapen rrugët e furnizimit”, u shpreh ai duke folur për të mbjellat.

Tjetër shqetësim i fermerëve ka qenë dhe prishja e mallrave për shkak të mosmbledhjen e mostransportimit në kohë të produkteve në tregje. Të gjitha kanë ndodhur për shkak të mungesës së forcës punëtore të kualifikuar. Shumë prej punonjësve nuk kanë mundur të udhëtojnë drejtë fermave për shkak të mungesës së transportit publik.

Edhe rënia e konsumit vendas dhe ulja e ndjeshme e kërkesës nga vendet e rajonit, të cilat po ashtu janë në izolim, ka sjellë rënie të çmimit dhe bllokim të produkteve në magazina.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>