Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ka deklaruar se Presidenti Aleksandar Vuçiç ka filluar procesin e bashkimit të të gjithë serbëve në rajon nën një shtet të vetem dhe se nuk mund të ndalet.
Vulin foli për nevojën e mbledhjes së të gjithë serbëve që jetojnë në vende të ndryshme në Ballkanin Perëndimor nën një vend – atë që ai e quajti “Bota Serbe” – si e vetmja mënyrë për të zgjidhur të ashtuquajturën “çështja kombëtare të serbëve”, të ndalojë gjenocidi i pretenduar ndaj serbëve në rajon.
Për më tepër, bashkimi i serbëve do të sillte paqe në rajon, tha ai, dhe do të ndalonte krijimin e të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”.
“Unë besoj se krijimi i Botës Serbe zgjidh çështjen kombëtare të serbëve, ndalon ngritjen e ‘Shqipërisë së Madhe’, garanton serbët se gjenocidi ndaj tyre nuk do të ndodhë më kurrë, dhe mbi të gjitha siguron paqen afatgjatë në Ballkan ”, tha Vulin të shtunën, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Beta.
Ministri tha se serbët kanë qenë nën gjenocid të përhershëm në rajon, derisa Presidenti Aleksandar Vuçiç filloi bashkimin e tyre, i cili tani është i pandalshëm.
“Njerëzit të cilët kanë përjetuar gjenocid të përsëritur në çdo brez dhe gjithmonë nga të njëjtit autorë nuk duhet të lënë të ikë mundësia e fëmijëve të tyre për të shmangur shfarosjen e bashkatdhetarëve të tyre në ato vende ku nuk janë të mbrojtur nga shteti. Falë Vuçiç, serbët janë bërë një popull i vetëm politik, procesi i bashkimit ka filluar dhe nuk mund të ndalet më”, theksoi ai.
Vulin tha se të jetosh nën çatinë e Bashkimit Evropian nuk është një zgjidhje për serbët derisa ata jetojnë të shpërndarë në vende të ndryshme.
“Është harruar që ne kemi jetuar kështu me shekuj, në Perandorinë Osmane, për disa dekada në perandorinë Austro-Hungareze dhe për katër vjet nën komandën e Rajhut të Tretë”, sqaroi ai, duke shtuar se “nuk është një zgjidhje që të gjithë serbët të jetojnë së bashku në një vend të huaj, por që shumica e serbëve të jetojnë në vendin e tyre ”.
Serbia nën Presidentin Aleksandar Vuçiç po punon për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe ka bërë më shumë përparim sesa pjesa tjetër e rajonit.
Në të njëjtën kohë, ajo ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën, si dhe aftësinë e saj ushtarake me furnizime armësh nga të dy vendet.
Kohët e fundit ajo mbajti një stërvitje të madhe ushtarake duke përdorur pajisje të rënda të blera nga Rusia, në të njëjtën kohë kur NATO dhe aleatët e saj filluan një stërvitje ushtarake në rajon.
Serbia ka refuzuar të anëtarësohet në NATO, ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe pretendon të forcojë ushtrinë e saj në mënyrë që të mbrojë vendin nga pushtimi.
Ballkani Perëndimor ishte rajoni më i prekur nga krimet e luftës pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, kur Serbia nën Presidentin Sllobodan Millosheviç luftoi boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët dëshironin të shkëputeshin nga Jugosllavia.
Vulin e krahasoi procesin e bashkimit të serbëve në një shtet me atë të bashkimit të Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit.
“Askush nuk u shqetësua nga fakti që gjermanët u bashkuan dhe kështu përfunduan rishikimin e rezultateve të Luftës së Dytë Botërore, por të gjithë shqetësohen që serbët duan të jetojnë në një shtet”, vuri në dukje ai.
Kjo vjen në një kohë kur mediat në rajon kanë botuar propozime të pretenduara jozyrtare të supozuara të hartaura nga zyrtarë të vendeve anëtare të BE-së, duke kërkuar të rishikojnë hartat në rajon dhe të krijojnë shtete të pastra etnike. Askush nuk e ka pranuar autorësinë e këtyre dokumenteve.