Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin ka fyer Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ndërsa iu kërkua të komentonte deklaratat e saj për Der Spiegel ku tha se Serbia duhet të kërkojë falje për genocidin ndaj Kosovës.
“Nëse Osmani do të kishte fytyrën, siç ka barkun për gënjeshtrat që thotë, ajo do të gjunjëzohej për një kohë të gjatë para “shtëpisë së verdhë” dhe serbëve të vrarë për trafik organesh dhe në të gjitha vendet e ekzekutimit. Janë vrarë civilë serbë, goranë, romë, boshnjakë dhe madje “Shqiptar” të cilët nuk dëshironin të ishin pjesë e UÇK-së.”, tha Vulin për B92.
Vulin mohoi gjithashtu gjenocidin serb në Kosovë, madje bëri edhe ironi me të.
“Të besosh gënjeshtrën e Osmanit për gjenocidin serb në Kosovë dhe Metohi është si të besosh se “Shiptarët” që dogjën manastiret janë luftëtarë për vlerat e krishtera dhe evropiane” tha ministri i Brendshëm serb.
Presidentja Osmani tha për Der Spigel se Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullsisë kosovare gjatë luftës.
Në fakt, ai e ka nxjerrë nga konteksti deklaratën e Osmanit dhënë për Der Spiegel. Ajo është pyetur nga gazetari se pse e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.
‘Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, tha Osmani.