Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan i kërkoi qeverisë të shpallë organizatë terroriste Lëvizjen Hizmet të Fethullah Gulenit dhe Partinë e Punëtorëve të Kurtidstanit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë të mërkurën, Kervan tha se këto dy organizata mund të dëmtojnë rëndë Kosovën.
“Te pika ku përmendet organizata terroriste DEASH (grupi militant, Shteti Islamik), degët e saj dhe të tjerët, këtu nuk përmenden organizatat terroriste që janë të njohura edhe botërisht: Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata terroriste FETO (v.j. Lëvizja Hizmet). Këta mund ta dëmtojnë rëndë edhe vendin tonë, Kosovën, këtë duhet ta kemi parasysh, sidomos PPK është edhe në listat e BE-së dhe SHBA-së. Patjetër që na nevojitet rritja e bashkëpunimit me Turqinë kundër këtyre organizatave”
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti deklaroi se kjo çështje i përket Agjensisë së Inteligjencës.
Më herët, kreu i Asamblesë së Turqisë, Mustafa Sentop i kërkoi qeverisë shqiptare të luftojë praninë e organizatës turke “FETO” në vend.
FETO dhe udhëheqësi i saj me banim në SHBA, Fetullah Gulen u akuzuan nga Ankaraja si organizator të grushtit të shtetit më 15 korrik 2016, ku u vranë 251 persona dhe u plagosën 2, 200 persona.
Ankaraja e ka akuzuar FETO se qendron pas një fushate për infiltrimin në institucionet turke, në veçanti në ushtri, polici dhe gjyqësor.