Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lajmëruar sot përpara mediave se do të propozojë ndryshime në Kodin Penal për personat e përfshirë në importin e farave, mbledhjen dhe trafikimin e kanabisit.
Ministri theksoi se qëllimi kryesor i ndryshimeve është që madhësia e dënimit të jetë në peërpjestim me sasinë e kultivuar.
Ndryshimet që ai lajmëroi se do të propozojë janë si më poshtë:
- Mbajtja e sasive që konsiderohen për përdorim vetjak do vijojë të jetë jo vepër penale.
- Shitja, mbajtja për shitje që konsiderohet mbi sasinë për përdorim vetjak, nga 1-5 vjet.
- Kur kjo vepër [shitja dhe mbajtja] kryhet në sasi të mëdha do të dënohet nga 7-10 vjet.
- Importi, eksporti, tranziti, mbajtja, blerja dhe shitja e farave të kanabisit do të dënohet nga 3-7 vjet.
- Kultivimi në sasi të vogla deri në 1 vit, kultivimi në sasi që nuk janë më të vogla do dënohet nga 1 -3 vjet dhe kultivimi në sasi të mëdha nga 5-10 vjet.