Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë do të masë me anë të një sondazhi ecurinë e mësimit “online” në universitetet shqiptare, ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Pas një takimi me rektorët e universtiteteve publike, ministrja shkroi në Facebook, se universitetet po performojnë me mirë në krahasim me semestrin e dytë të vitit të kaluar akademik.
Por pavarësisht këtij përfundimi, ajo ka njoftuar se ASCAL do të përgatisë një sondazh vlerësues për ecurinë e mësimit “online” për të gjitha universitetet.
Nuk jepen të dhëna mbi pyetjet e sondazhit, kujt do t’i drejtohet ai dhe si do të zhvillohet duke qenë se studentët janë në shtëpi.
Kushi thotë gjithashtu se po ndjek praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara por thekson se “vlerësimi i situatës dinamike të pandemisë dhe vendimmarrjet përkatëse i përkasin si përherë Komitetit të Ekspertëve”.
Sipas një sondazhi të zhvilluar në portalin Studentët Denoncojnë mbi 80 për qind kanë kërkuar që auditorët të hapen dhe mësimi të zhvillohen në respektim të masave të udhëzuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ata i kanë dërguar edhe një peticion kryeministrit Rama dhe ministres Kushi për këtë fakt.
Nga ana tjetër Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë i ka drejtuar kryeministrit Rama një kërkesë për përfshirjen me përparësi të stafit akademik dhe ndihmës akademik të Institucioneve të Arsimit të Lartë në planin kombëtar të vaksinimit kundër Covid-19.
Pedagogët e konsiderojnë domosdoshmëri kthimin e studentëve në auditore gjatë semestrit të dytë pasi vazhdimi i mësimit online do të thellojë mangësitë në formimin e studentëve që janë shkaktuar gjatë kësaj periudhe.