Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë kërkesat e maturantëve për rivlerësim të tezës së provimit të maturës së gjuhës shqipe.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi deklaroi për median se qëndrimet e maturantëve nuk qëndrojnë dhe asnjë prej pyetjeve të testit nuk ka qenë jashtë programit:
“Nuk ka mundësi rivlerësimi, pasi nuk ka gabime, apo pyete që të hiqen nga testi. Edhe testi edhe skema do të bëhen publike.
Për sistemin e pikëve do të bëhet analiza në fund të daljes së rezultateve për të parë si qëndron shpërndarja nga niveli i vështirësisë.”
Maturantët protestuan sot para ministrisë dhe kërkuan rishikimin e testit të maturës për gjuhë letërsi, zhvilluar një ditë më parë.
Ata akuzuan ministrinë se struktura e ndërtimit të testit nuk ishte e njëjtë me atë model që u premtua dhe studiua. Sipas tyre, testi kishte pyetje ‘pa lidhje dhe pa logjikë’ dhe jashtë temave të studiuara në klasë.
Ata kërkuan nga ministria plotësimin e 3 kërkesave:
- Mundësinë për rivlerësimin e tezës;
- Uljen e pragut minimal për të kaluar;
- Mosvlerësimin e pyetjeve jashtë programit.