Ministria e Arsimit i ka kërkuar studentëve – të cilët kërkuan anulimin e tarifave për vitin akademin 2019 – 2020 – që t’i drejtohen Universiteteve për çdo ankesë që kanë lidhur me orët e pazhvilluara të mësimit.
Ministria sqaron se për çdo ankesë të ardhur nga studentët, ajo ka kërkuar nga Universitetet përkatëse marrjen e masave për zgjidhjen e problemit.
MASR ka kujtuar edhe subvencionimin e gjysmës së tarifës vjetore për studentët, duke lënë të kuptohet se anulimi i plotë i saj nuk është pranuar.
“Studentët duhet të çojnë atje ankesat për lëndë specifike në mënyrë që universiteti të akomodojë ata studentë që kanë hasur vështirësi me mësimin online duke u ofruar leksione shtesë.” – shkruan Ministria në reagimin e saj.
Ministria duket e bezdisur nga protestat e studentëve, të cilëve me ironi i kërkon “të angazhohen dhe përqëndrohen më tepër në punën brenda universiteteve sesa përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve”.