
Ministria e Jashtme e Shqipërisë pohoi të mërkurën në një reagim për Zërin e Amerikës, se zgjerimi i kufirit detar të Greqisë nuk ka të bëjë me kufirin ujor shqiptaro-grek.
Ministria u shpreh:
“Lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982.
Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS”.
Ky reagim erdhi pas deklaratës së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili tha të mërkurën në Parlament se qeveria greke së shpejti do të dorëzojë planin për zgjerimin e kufijve detar nga 6 në 12 milje në detin e Jonit.