Fëmijët, të cilët janë strehuar në hotele pas dëmtimit të shtëpive nga tërmeti, do të vazhdojnë mësimin nëpër ‘klasa provizore’ brenda hoteleve.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila sot në kuvend deklaroi:
“Në hotelet ku janë strehuar qytetarët, kemi themeluar shkolla provizore.
Kemi grupuar në një hotel më të madh ku do të organizohet shkolla në atë grup hotelesh. Kemi 2-3 shkolla të përkohshme përgjatë hoteleve ku kemi vendosur përgjatë bregdetit.”
Zonja Shahini tha se ministria po vazhdon inspektimet në shkollat e dëmtuara në Tiranë, Durrës e Vorë, deri tani 31, dhe po përgatisin një plan për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera:
“Për 31 shkollat publike që janë jashtë funksionit, kemi bërë plan të detajuar për të transferuar nxënësit në institucione të tjera.”
Ajo lajmëroi se në Lezhë, në Krujë e Kamëz mësimi ka nisur sot, ndërsa në Tiranë, Vorë dhe Durrës mësimi do të nisë më 9 dhjetor.
Të paktën dy prej shkollave të dëmtuara në Tiranë, shkolla ‘Emin Duraku’ dhe ‘Sami Frashëri’, janë rikonstruktuar vitet e fundit.