
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj i bëri thirrje sot qytetarëve që të mbështesin turizmin vendas në këtë periudhë të vështirë për të pas tërmetit dhe Covid-19.
Duke vizituar sot në Durrës bizneset që kanë përfituar nga garancia sovrane , Denaj u shpreh:
“Turizmi patriotik do të thotë se si shqiptarët në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e më gjerë të shpenzojnë më shumë në restorantet e hotelet në vend, në atë që është ‘Made in Albania’.
Si një nevojë për ta kthyer këtë moment në një moment solidariteti, është edhe një kërkese e gjithë bizneseve në këtë sektor, për të bërë një qasje solidariteti drejt këtij turizmi, i cili në shumë aspekte e ka rritur cilësinë e shërbimit dhe i duhet të provojë që ja del edhe në këto kushte të vështira.”
Siç e kemi shkruar dhe më parë, turizmi pritet të jetë një nga sektorët më të goditur nga pandemia e Covid-19. Ndërsa qeveria shqiptare nuk ka ende një plan konkret për rimëkëmbjen e tij.